Ideja jote mund të bëhet kauza jonë!
Është momenti yt për të mos qëndruar në heshtje! Zëri yt ka fuqinë të formësojë komunitetin dhe të çojë përpara nisma të vërteta për të drejtat qytetare.
Platformë e krijuar posaçërisht për t'u dhënë zë komuniteteve lokale në mbarë Shqipërinë. Çdo propozim shqyrtohet nga juria e pavarur e United Rights Foundation.
Një hapësirë e hapur ku problemet e përditshme të lagjes apo qytetit tënd marrin vëmendje institucionale dhe kthehen në ndërhyrje konkrete.
United Rights Foundation / URF është një organizatë mbi të drejtat e njeriut, e cila kërkon që në projektet dhe nismat e saj të përfshijë zërin e qytetarëve dhe t'u përgjigjet nevojave të komunitetit që vijnë nga vetë ata, qytetarët.
Për më tepër informacion mbi organizatën, veprimtarinë dhe nismat e saj, referojuni adresave tona në rrjetet sociale dhe në faqen tonë të internetit.
Ne ndërtojmë ura bashkëpunimi mes qytetarëve me iniciativa dhe mekanizmave institucionalë për ndryshim.
Nëse je një qytetar që nuk shqetësohesh vetëm për veten, por të intereson edhe mirëqenia e njerëzve të tjerë dhe zhvillimi i vendit ku jeton, dhe vëren një situatë të pazakontë e cila bie ndesh me parimet dhe rregullat e funksionimit të një shoqërie në shkollën, punën, lagjen, fshatin apo qytetin tënd, dhe mendon se është i rëndësishëm një reagim qytetar, ne jemi këtu!
Ajo çfarë kërkon zgjidhje sipas këndvështrimit tuaj mund të jetë një shqetësim që prek një numër të konsiderueshëm njerëzish; është një situatë që mund dhe duhet të ndryshojë.
E rëndësishme është se ajo mund të jetë një çështje sociale, ekonomike, edukative, shëndetësore, por edhe e bazuar në kulturë, rregull dhe vlera, ose ka të bëjë me rrënjosjen e një mentaliteti.
Nëse mendon se shkelen të drejtat e njeriut për një komunitet të caktuar, ne jemi këtu që përmes zërit tuaj të bëhemi bashkë për një reagim social dhe për adresimin e problemit.
Ky konkurs lindi si mundësi për t'u dhënë përparësi shqetësimeve të komunitetit, ndaj mirëpresim idetë tuaja që mund ta bëjnë mjedisin tonë, lagjen, fshatin apo qytetin një vend më të lehtë për të jetuar dhe një bashkëjetesë më efikase me njëri-tjetrin.
"Nuk ka rëndësi mosha, as profesioni, as arsimi kur bëhet fjalë për të qenë qytetar aktiv dhe për të dhënë një kontribut që do të ndihmonte një shoqëri që të ecte përpara, një qytet që të zhvillohej dhe një reagim që do të mund të ndryshonte apo përmirësonte jetën e një komuniteti. Është momenti yt për të mos qëndruar në heshtje!"
Ideja jote mund të bëhet kauza jonë! Mjafton që shqetësimi t'i përkasë një komuniteti.
Të ndihesh i dobishëm për të tjerët është një ndjesi që na jep krenari, por edhe vetëbesim se ne mund të sjellim buzëqeshje ose mund të ushtrojmë të drejtën tonë si qytetar duke reaguar për situata që na prekin të gjithëve.
Duke u bërë pjesë e këtij konkursi, ju do të mund të jeni një qytetar aktiv në URF, i cili ka nismë konkrete, dhe nëse kjo rezulton fituese, ju do të mund të ndiqni të gjithë rrugëtimin se si do të ndërhyhet për ta lehtësuar e minimizuar si problem.
Gjithashtu, ju do të keni mundësi të njiheni nga komuniteti si një qytetar me kontribut aktiv (nëse pranoni që emri juaj të publikohet në rast se jeni fitues), dhe ky problem i zgjidhur me nismën tuaj do të mbajë autorësinë tuaj. Ju do të vlerësoheni me një certifikatë mirënjohjeje nga United Rights Foundation për „fabrikimin" e idesë origjinale që keni shtjelluar për të përmirësuar bashkëjetesën në komunitet.
Është radha jote! Të gjithë ne nuk mund të ankohemi nëse nuk kemi bërë hapat e parë për ta lëvizur situatën, për ta ndryshuar atë. Jeni në portën e duhur! URF e vlerëson maksimalisht zërin tuaj të reagimit qytetar, duke e bërë kauzën e saj!
Kjo fabrikë idesh për ndërhyrje në komunitet e për ngritje kauzash nuk përfshin dërgimin e rasteve personale e padrejtësive në nivel individual që mund t'ju kenë ndodhur në sistemin gjyqësor, shëndetësi, arsim apo punë.
Por është projektuar si një nxitje për të pasqyruar shqetësimin e një numri të konsiderueshëm njerëzish në një lagje, fshat apo qytet.
Kujdes! Kjo nuk është një nismë për denoncimin e krimeve të mundshme, por një nismë që kërkon t'i japë formë e forcë zhvillimit të një qyteti dhe lehtësimit të bashkëjetesës së komunitetit.
Plotësoni të dhënat tuaja dhe shtjelloni idenë për komunitetin. Procesi zgjat vetëm pak minuta.
Të dhënat tuaja janë private dhe ruhen sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale (Ligji nr. 124/2024).